MINISTRI MURATI U TAKUA ME FUTBOLLISTËT E FC KOSOVA – CYRIH, FITUES TË KUPËS SË DIASPORËS

MINISTRI MURATI U TAKUA ME FUTBOLLISTËT E FC KOSOVA – CYRIH, FITUES TË KUPËS SË DIASPORËS

17/11/2015
Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, u takua sot me futbollistët e klubit futbollistik FC Kosova nga Cyrihu i Zvicrës dhe z. Skender Thaçi, kryetar i Unionit të Futbollit Shqiptar në Zvicër. Këta të fundit janë shpallur fitues të Kupës së Diasporës, ndërsa në Kosovë kanë ardhur me qëllim të mbajtjes së një ndeshje reviale me fituesin e Kupës së Kosovës, KF Feronikeli.

Gjatë këtij takimi, bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Fadil Vokrri, u dha mbështetje për aktivitetet sportive në diasporë, posaçërisht nga Ministria e Diasporës, ndërsa zyrtarët e klubit FC Kosova, përkatësisht kryetari z. Arsim Hyseni e falënderuan Ministrinë për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë si në të kaluarën, ashtu edhe për këtë ndeshje.

“Ministria e Diasporës ka në plan që ndeshje të këtilla vëllazërore t’i ndihmojë në organizim edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe klubet nga Shqipëria, klubet shqiptare nga Maqedonia në formë të superkupës. Ministria që e udhëheq do të jetë gjithmonë në përkrahje të klubeve sportive nga diaspora”, tha ministri Murati në fjalën e tij para lojtarëve dhe kryesisë së klubit.

Ndeshja mes FC Kosovës dhe KF Feronikelit do të zhvillohet më  17.11.2015 ( e martë), në orën 13:00, në stadiumin e KF Feronikelit  në Drenas, ndërkohë ka karakter promovues.