Takimi me deputetin e Parlamentit zviceran: Të institucionalizohet mësimi shqip në Zvicër

Takimi me deputetin e Parlamentit zviceran: Të institucionalizohet mësimi shqip në Zvicër

12/04/2018
Në ditën e fundit të vizitës në Zvicër, zv. kryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, është takuar me Manuele Tornare, deputet në Parlamentin Federal Zviceran, deputet në Asamblenë e Këshillit të Evropës dhe ish-kryetar i Gjenevës.

Me Tornare, ministri Gashi, i shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka diskutuar për projektet e Universitetit Popullor Shqiptar, në lokalet e të cilit u mbajt edhe takimi, në veçanti për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër si program integral i kurrikulës së shkollave në Zvicër.

“Në udhëtimet që kemi pasur deri tani, na u ka dhënë mesazhi se në të gjitha shtetet ku mësimi i gjuhës shqipe është institucionalizuar, aty ka pjesëmarrje më të madhe të fëmijëve. Kërkojmë nga ju që ta diskutoni këtë çështje me ministrin federal dhe kantonal, që kjo të bëhet edhe në Zvicër,  që mësimi i gjuhës shqipe të jetë pjesë e programit institucional të Zvicrës”, tha Gashi.

Deputeti Tornare premtoi se këtë do ta diskutojë me ministrin përkatës, ndërsa i informoi dy ministrat edhe për punën dhe ndihmën që shteti zviceran i ka dhënë Kosovës.

“E respektojmë kërkesën për vetëvendosjen e popujve dhe pavarësinë e tyre në rastet kur ajo është e drejtë dhe e justifikuar, si në rastin e Kosovës”, tha Tornare.

Ministrat Gashi dhe Majko, po ashtu, takuan edhe kryetarin e Odës Ekonomike Zvicerano -Kosovare, Stephan Sarkany, si dhe një grup të investitorëve potencialë, me të cilët diskutuan për projekte konkrete dhe vizita të përbashkëta të investitorëve nga Zvicra dhe Franca në Kosovë dhe Shqipëri, në fushat e shëndetësisë dhe aftësimit profesional.

“Tani në Kosovë kemi një ligj specifik për investime strategjike dhe në këtë fushë besoj se së shpejti do të kemi punë konkrete, si rezultat i bashkëpunimit tonë”, theksoi Gashi.