Zv. kryeministri Gashi: Të kemi edhe më tepër tregime suksesi të diasporës

Zv. kryeministri Gashi: Të kemi edhe më tepër tregime suksesi të diasporës

10/04/2018
Gjatë vizitës së bërë platformës albinfo.ch në Lozanë të Zvicrës, në praninë e autoriteteve kantonale zvicerane, bordit të kësaj platforme, përfaqësueseve të shoqatave të studentëve dhe bizneseve të Lozanës, ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, e ka vlerësuar lart punën e Albinfos, duke shprehur përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm mes tyre dhe ministrisë që e drejton.

“Po të kishim një projekt si Albinfo në secilin vend ku kemi bashkatdhetarë, do të ishte një pasuri e madhe dhe me siguri disa procese do të ishim shumë më efektive dhe shumë më përpara. Edhe në të kaluarën, kemi bashkëpunuar dhe e kemi ndihmuar këtë projekt dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Po ashtu, besoj se një mbështetje e tillë  do të jepet edhe nga ministri Pandeli Majko”, tha ministri Gashi.

Bashkim Iseni, udhëheqës i platformës Albinfo, prezentoi projektet që janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen nga organizata që e udhëheq.

“Në kontinuitet kemi mbledhur materiale për sukseset në diasporë, të cilat i kemi pasqyruar në një dokumentar. Siç e dini, projektet tona i realizojmë në partneritet me autoritetet zvicerane, disa nga të cilat janë edhe prezente dhe me ndihmën e të cilëve do ta realizojmë projektin e ardhshëm, i quajtur Kosova – vend i potencialit”, tha Iseni, duke shtuar se Albinfo ka për qëllim të zgjerohet nga Zvicra në gjithë Bashkimin Evropian.

Dy ministrat, gjatë ditës, u takuan edhe me shoqatën ISEAL (Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare), e cila ka për qëllim zhvillimin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Zvicrës dhe shqiptarëve, ndihmën për integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Në veçanti, me ta u diskutua për projektet e shkëmbimeve profesionale dhe mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Gjatë kësaj vizite, Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih organizoi takimin me Lidhjen e Arsimtarëve dhe të Prindërve Shqiptarë në Zvicër, me të cilët u ndanë shqetësimet dhe sfidat e këtij procesi, si dhe fazat e implementimit të marrëveshjeve ndërshtetërore me Republikën e Shqipërisë.

“Kemi arritur t’i bëjmë bashkë të gjitha ministritë që të punojmë në dobi të diasporës”, tha ministri Dardan Gashi, duke folur për marrëveshjet, ndërsa ministri Majko shprehu shqetësimin para mësimdhënësve shqiptarë në Zvicër për gjendjen jo të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe