Vendoset në Tiranë - Qendra e Arsimit për Diasporën në Prishtinë

Vendoset në Tiranë - Qendra e Arsimit për Diasporën në Prishtinë

14/02/2018
Në Tiranë mbahet takimi ndërministror Kosovë-Shqipëri për mësimin shqip në Diasporë. Kjo paraqet takimin tjetër të punës mes dy ministrive të Diasporës dhe dy ministrive të Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që është vazhdimësi e procesit të implementimit të marrëveshjes për mësimin shqip në Diasporë

Në Tiranë mbahet takimi ndërministror Kosovë-Shqipëri për mësimin shqip në Diasporë. Kjo paraqet takimin tjetër të punës mes dy ministrive të Diasporës dhe dy ministrive të Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që është vazhdimësi e procesit të implementimit të marrëveshjes për mësimin shqip në Diasporë.

Në tryezë ishin prezentë ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, njëherësh zv. kryeministër i Kosovës, Dardan Gashi; ministrja e Arsimit, Sportit dhe e Rinisë e Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla; ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe zv. ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, z. Heset Sahiti.

Gjatë takimit, tre ministrat u informuan për procesin e deritashëm, fazat e implementimit të marrëveshjes, si dhe për hapat e mëtutjeshëm.

Që të tre - Nikolla, Gashi dhe Majko - u dakorduan të themelohet Këshilli i përbashkët për implementimin e marrëveshjes. Ky i fundit ka marrë vendimin për ngritjen e qendrës arsimore në Diasporë, me seli në Prishtinë, e cila  do të jetë në funksion të implementimit të detajeve teknike të marrëveshjes.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt unifikimit të mësimit shqip në Diasporë. Tani kemi zotime të përbashkëta për hapa konkretë në drejtim të implementimit të plotë të marrëveshjes ndërshtetërore, të nënshkruar mes dy kryeministrave”, tha zv. kryeministri Gashi.

Në anën tjetër, ministrja Nikolla i përgëzoi të dyja qeveritë për angazhimin që kanë marrë për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit shqiptar. “Unifikimi i sistemit arsimor është një hap shumë i rëndësishëm”, theksoi ministrja Nikolla.

Ndërsa, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha: “Sot, në prag në 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, kemi çfarë t’i themi publikut. Brenda një kohe të shkurtër, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, ndërmorëm disa vendime të rëndësishme, si ai lidhur me krijimin e qendrës për arsimin në Diasporë”.

Ky takim do të vazhdojë në nivelin teknik, që do të rezultojë me nxjerrjen e konkluzioneve të tjera.