Afaristët shqiptaro-amerikanë me kërkesa dhe projekte konkrete

Afaristët shqiptaro-amerikanë me kërkesa dhe projekte konkrete

07/02/2018
Disa nga afaristët më të suksesshëm shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Nju-Jorkut dhe në rrethinën e tij, u mblodhën për të diskutuar me zv. kryeministrin e Kosovës / ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe me ministrin e Shtetit për Diasporën të Shqipërisë, Pandeli Majko, projekte dhe kërkesa konkrete që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë

Disa nga afaristët më të suksesshëm shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Nju-Jorkut dhe në rrethinën e tij, u mblodhën për të diskutuar me zv. kryeministrin e Kosovës / ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe me ministrin e Shtetit për Diasporën të Shqipërisë, Pandeli Majko, projekte dhe kërkesa konkrete që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Në mesin e afaristëve, si Vera Mjeku, Harry Bajraktari, Richard Lukaj, Bruno Selimaj, Arben Krasniqi, Besim Malota,  ishte edhe asamblisti i vetëm shqiptar i Asamblesë së qytetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, me të cilin u diskutua edhe për thellimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe komunitetit, si dhe projekte konkrete  për ruajtjen e avancimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar.

Kosova ka shumë produkte me cilësi të lartë, të cilat eksportohen, mirëpo ajo që mungon është promovimi i tyre i mirëfilltë, u tha në takim. Në këtë kontekst, Harry Bajraktari, afarist i shquar  në Nju-Jork, vlerësoi lart vizitën e dy ministrave, duke shprehur nevojën, por edhe mbështetjen për hapjen e një qendre kulturore në Nju-Jork, me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare, por edhe në masë të madhe të potencialeve për investime dhe eksport të produkteve në ShBA.

“Kosova është duke e përmirësuar në masë të madhe klimën e përgjithshme për investime. Lajm i mirë është nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri, në vlerë  1.2 miliardë dollarë, nga kompania amerikane, që tregon qartë për mundësitë dhe sigurinë e investimeve strategjike nga kompani serioze në Kosovë”, tha ministri Gashi.

Në këtë takim, po ashtu, u dakordua në parim një vizitë e afaristëve nga ShBA-të në Kosovë, për t’u njohur për së afërmi me mundësitë që ofrohen për të investuar në Kosovë, në veçanti në fushën e minierave, turizmit dhe të energjisë.

Ministri Gashi dhe ministri Majko takuan edhe rrjetin e profesionistëve shqiptarë në Nju-Jork “APEN”, me të cilët diskutuan për organizimin e rrjeteve të profesionistëve dhe të  studentëve në Amerikë, shkëmbimin e përvojave dhe sjelljen e ekspertizës në Kosovë dhe Shqipëri. ​