Ministri Murati priti nxënës të mësimit plotësues nga Austria

Ministri Murati priti nxënës të mësimit plotësues nga Austria

11/04/2017
Ministri i Diasporës, Valon Murati, bashkë me zëvendësministrin Sahit Krasniqi dhe me përfaqësues të tjerë të diasporës pritën sot një grup të mësuesve dhe të prindërve bashkë me 37 nxënës të mësimit plotësues nga Austria, të qyteteve Vjenë, Grac, Linc, Wels dhe St.Polten. Vizita e këtyre nxënësve po realizohet në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me MASHT-in.

Ministri Murati, pasi u uroi mirëseardhje, i përgëzoi mësuesit për punën që po bëjnë në edukimin dhe nxënien e mësimit shqip. Ai foli edhe për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe.

“Ministria e Diasporës po bën përpjekje që bashkë me mësues të shkollave  shqipe e prindër të organizojë vazhdimisht aktivitete me programe të tilla, si ekskursione, kuize të diturisë, kampe verore, që t’ju mbajë sa më afër atdheut”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Ai  i ftoi nxënësit e mësimit plotësues që të bëhen pjesë e kampeve verore, e kuizeve të diturisë, përmes të cilave jo vetëm që fitojnë njohuri për atdheun, po krijojnë edhe miqësi të reja me moshatarët e tyre. 

Ministri Murati i falënderoi mësuesit, por edhe prindërit e këtyre nxënësve për punën e madhe që po bëjnë vazhdimisht për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Ai u shpreh se mësimi i shqipes nuk është vetëm interes kombëtar, po edhe interes i nxënësve, sepse, me njohjen e saj, ata mësojnë një gjuhë më shumë dhe integrohen më lehtë në shoqëritë ku jetojnë, por në të ardhmen mund të jenë edhe lidhje mes vendit ku jetojnë dhe atdheut.

Ndërkaq, në emër të mësuesve, Hazir Mehmeti, mësues, njëherësh kryetar i shoqatës “Naim Frashëri”, falënderoi MeD-në për gjithë punën që po bën për diasporën, në veçanti për mësimin plotësues, si një nga hallkat kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në këtë ekskursion njohës mësimor, nxënësit shqiptarë nga diaspora do të vizitojnë vende të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, institucione të  ndryshme arsimore e monumente historike.

Gjatë vizitës në atdhe, për nxënësit nga diaspora do të organizohen aktivitete të shumta, me tema të ndryshme në funksion të edukimit, po edhe zhvillimit të identitetit, me qëllim t’u forcohet edhe më shumë ndjenja e dashurisë për atdheun.

Ekskursione të tilla do të organizohen edhe me grupe të tjera nxënësish të mësimit plotësues nga  Kroacia, Greqia, Gjermania dhe Suedia.