PËRFUNDUAN ME SUKSES “DITËT E KULTURËS SHQIPTARE” NË ZVICËR DHE BELGJIKË

PËRFUNDUAN ME SUKSES “DITËT E KULTURËS SHQIPTARE” NË ZVICËR DHE BELGJIKË

04/12/2015
Organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe atë të Shqipërisë, misionet diplomatike të të dyja vendeve në shtetet përkatëse, si dhe Qendrën Kulturore të Kosovës në Zvicër dhe bibliotekën “Pestalozi” , përfunduan “Ditët e kulturës shqiptare në diasporë”, përkatësisht në Belgjikë dhe Zvicër.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara në mars të këtij viti mes dy qeverive shqiptare.

Pas anulimit të koncertit të Elina Dunit, i paraparë si hapje e ngjarjeve kulturore, si pasojë e situatës së krijuar pas sulmeve terroriste në Francë, aktivitetet  në kuadër të “Ditëve të kulturës shqiptare”  vazhduan me shfaqjen “Sikur kjo të ishte shfaqje”.

Përveç në Bruksel, aktivitetet kulturore vazhduan edhe në Zvicër, me koncertin e mexosopranos Sanije Matoshi dhe pianistes Elizabetë Musliu.

Ndërkohë, përveç koncerteve, në bibliotekën “Pestalozi” të Cyrihut u dha shfaqja “Gishti”, e autores Doruntina Basha, me aktoret e Teatrit Kombëtar Teuta Krasniqi e Irena Cahani.

Po ashtu, në të dyja vendet u shfaqën edhe filma të metrazhit të shkurtër  të regjisorëve të rinj shqiptarë.

Vlen të përmendet se në të gjitha aktivitetet e organizuara pati një pjesëmarrje të madhe të publikut shqiptar, por edhe atij të huaj.

Aktiviteti “Ditët e kulturës shqiptare”  do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, por me një shtrirje më të gjerë edhe në shtetet e tjera, ku ka përqendrim të diasporës shqiptare.