Ky aktivitet u realizua në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara në mars të këtij viti mes dy qeverive shqiptare.
Pas anulimit të koncertit të Elina Dunit, i paraparë si hapje e ngjarjeve kulturore, si pasojë e situatës së krijuar pas sulmeve terroriste në Francë, aktivitetet në kuadër të “Ditëve të kulturës shqiptare” vazhduan me shfaqjen “Sikur kjo të ishte shfaqje”.
Përveç në Bruksel, aktivitetet kulturore vazhduan edhe në Zvicër, me koncertin e mexosopranos Sanije Matoshi dhe pianistes Elizabetë Musliu.
Ndërkohë, përveç koncerteve, në bibliotekën “Pestalozi” të Cyrihut u dha shfaqja “Gishti”, e autores Doruntina Basha, me aktoret e Teatrit Kombëtar Teuta Krasniqi e Irena Cahani.
Po ashtu, në të dyja vendet u shfaqën edhe filma të metrazhit të shkurtër të regjisorëve të rinj shqiptarë.
Vlen të përmendet se në të gjitha aktivitetet e organizuara pati një pjesëmarrje të madhe të publikut shqiptar, por edhe atij të huaj.
Aktiviteti “Ditët e kulturës shqiptare” do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, por me një shtrirje më të gjerë edhe në shtetet e tjera, ku ka përqendrim të diasporës shqiptare.