“Diaspora sot përbën potencial shumëfish më të madh, jo vetëm financiar, por edhe profesional”

Valon Murati
U prezantua studimi “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës –Kosovës dhe Shqipërisë

U prezantua studimi “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës –Kosovës dhe Shqipërisë

07/03/2017
Sot në Prishtinë, Programi Migrimi për Zhvillim i GIZ-it ka prezantuar studimin “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës –Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë”, studim ky që u realizua edhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës. Qëllimi i këtij studimi ishte t’i analizonte emigrantët që tashmë janë të vendosur në Gjermani dhe emigrantët e rinj nga të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria, të organizuar në shoqata gjermano-shqipfolëse, t’i njohë ata më mirë, t’i kuptojë nevojat e tyre dhe t’i hulumtojë mundësitë për integrimin e tyre të mëtutjeshëm.

Sot në Prishtinë, Programi Migrimi për Zhvillim i GIZ-it ka prezantuar studimin “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës –Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë”, studim ky që u realizua edhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës. 

Qëllimi i këtij studimi ishte t’i analizonte emigrantët që tashmë janë të vendosur në Gjermani dhe emigrantët e rinj nga të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria, të organizuar në shoqata gjermano-shqipfolëse, t’i njohë ata më mirë, t’i kuptojë nevojat e tyre dhe t’i hulumtojë mundësitë për integrimin e tyre të mëtutjeshëm.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, në fjalën e tij para të pranishmëve, përgëzoi GIZ-in për punën që ka bërë për inicimin e këtij studimi.

“Bashkëpunimi me Gjermaninë në këtë drejtim është i rëndësishëm për dy fakte: në bazë të dhënave të deritashme të regjistrimit që ka bërë Ministria e Diasporës, diaspora jonë është kryesisht e koncentruar në vendet gjermanofolëse, me numrin më të madh në Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërkaq, sa u përket remitencave,  në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, përqindja më e madhe e remitencave është nga Gjermania. Këto të dhëna tregojnë për rëndësinë që ka fuqizimi i bashkëpunimit tonë , në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali i madh që ka diaspora në Gjermani, për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të vendit tonë. Duhet pasur parasysh se diaspora shqiptare në Gjermani është një dhe nuk mund të ndahet, prandaj për këtë arsye, ne e kemi rritur bashkëpunimin jo vetëm me organizatat ndërkombëtare, por edhe me Qeverinë shqiptare që për këto resurse të përbashkëta të krijojmë edhe programe dhe mekanizma të përbashkët. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi pasur edhe programe të përbashkëta të punës praktike për studentët nga diaspora, por edhe organizimin e Samitit të diasporës në Tiranë. Po ashtu, janë nënshkruar edhe marrëveshje të rëndësishme për organizimin e mësimit plotësues dhe aktivitetet të përbashkëta kulturore. Ky studim do të na ndihmojë në punën tonë drejt të ardhmes”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Ai u shpreh i lumtur që institucione të rëndësishme të vendeve mike, siç është Gjermania, çdo herë e më po e ndihmojnë Kosovën edhe në fushën e diasporës dhe raporteve që duhet të krijohen me të, që diaspora të jetë një urë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve të mira, por edhe për ta ndihmuar Kosovën në zhvillimin socio-ekonomik.

Karolina Novinscak Kolker, nga Universiteti Regensburg në Gjermani, prezantoi studimin “Rrjetet e migrimit ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të origjinës”, me theks të veçantë emigrantëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Ajo, përmes këtij studimi, paraqiti me shifra e të dhëna numrin e emigrantëve nga Kosova e Shqipëria që kanë emigruar ndër vite në Gjermani. Ky studim ofron njohuri lidhur me nevojat dhe çështjet që kanë të bëjnë me involvimin e emigrantëve gjermano-shqiptarë, për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth procesit dhe historisë së mërgimit të gjermano-shqiptarëve, por për të identifikuar edhe kanale dhe mundësi të ndryshme komunikimi.

Ajo prezantoi medodat e hulumtimit, duke treguar me shembuj shpërndarjen e emigrantëve shqiptarë në shtetin gjerman, përqindjen e tyre, të drejtat e tyre si  qytetarë të Gjermanisë, numrin e të punësuarve të emigrantëve për të dyja vendet, përqindjen e atyre që kanë studiuar atje etj. 

Pas prezantimit të këtij diskutimi, u mbajt edhe paneldiskutimi, pjesë e të cilit ishte edhe Kushtrim Sheremeti, këshilltar i ministrit Murati.

Ai tha se MeD-ja po bën përpjekje që të përdoren mënyrat më të mira për organizimin e diasporës, por edhe aktiviteteve për “kthimin e trurit” në atdhe. “Ne e kemi mbështetur e krijimin e rrjeteve të bizneseve, rrjeteve të juristëve e rrjeteve të të rinjve e studentëve. Kemi mbajtur konferencën e përbashkët me avokatët shqiptarë nga diaspora dhe Odave të Avokatëve nga Kosova dhe Republika e Shqipërisë, me ç ‘rast janë shkëmbyer përvoja profesionale nga kjo fushë, pastaj është krijuar edhe databaza me të dhënat  e avokatëve”, tha Sheremeti.

AI foli edhe për angazhimin ekspertëve të rinj në fusha të ndryshme, për përfaqësimin e bizneseve të diasporës në Këshillin kombëtar për zhvillimin ekonomik,  për ndryshimin e Ligjit të Diasporës që është në proces, i cili do t’i definojë kompetencat e MeD-së, dhe për shumë çështje të tjera.